ÇFARË ËSHTË NDËRMJETËSIMI .

ÇFARË ËSHTË NDËRMJETËSIMI KUPTIMI DHE MOSMARRËVESHJET QE ZGJIDHEN ME NDËRMJETËSIM.

1. Ndërmjetësimi është veprimtari jashtëgjyqësore, në të cilën palët kërkojnë zgjidhjen e një mosmarrëveshjeje me anë të një personi të tretë asnjanës (ndërmjetësit), për të arritur një zgjidhje të pranueshme të mosmarrëveshjes dhe që nuk bie në kundërshtim me ligjin.

2. Ndërmjetësimi për zgjidhjen me pajtim të mosmarrëveshjeve është veprimtari e pavarur, që ushtrohet në përputhje me ligjin dhe nën kujdesin e Ministrisë së Drejtësisë.

3. Ndërmjetësit nuk kanë të drejtë të urdhërojnë apo të detyrojnë palët të pranojnë zgjidhjen e mosmarrëveshjes.

NE ÇFARË FUSHASH ZBATOHET ZGJIDHJA E MOSMARRËVESHJEVE ME ANE TE NDËRMJETËSIMIT.

1. Ndërmjetësimi, sipas ligjit te ndermjetesimit, zbatohet për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të parashikuara nga pikat 2 dhe 3 të nenit 1 te ligjit te ndermjetesimit, në çdo kohë që palët në konflikt, me vullnetin e tyre të lirë, kërkojnë dhe pranojnë ndërmjetësimin si alternativë për zgjidhjen e mosmarrëveshjes, pavarësisht nëse mosmarrëveshja është paraqitur përpara organit të përcaktuar nga ligji për zgjidhjen e saj. Dispozitat e këtij ligji zbatohen edhe në ato raste kur gjykata, apo organi përkatës shtetëror, pas vënies në lëvizje për zgjidhjen e mosmarrëveshjes, orientojnë palët drejt ndërmjetësimit, sipas pikave 4 dhe 5 të këtij neni.

2. Ndërmjetësimi zbatohet për zgjidhjen e të gjitha mosmarrëveshjeve në fushën e së drejtës civile, tregtare, të punës dhe familjare.

3. Ndërmjetësimi në fushën penale zbatohet për mosmarrëveshjet që shqyrtohen nga gjykata me kërkesën e të dëmtuarit akuzues, ose me ankim të të dëmtuarit, sipas neneve 59 dhe 284 të Kodit të Procedurës Penale, si dhe në çdo rast kur ligji i veçantë e lejon atë.

4. Kur vihet në lëvizje për zgjidhjen e një mosmarrëveshjeje në fushën e së drejtës civile, tregtare, të punës apo familjare, gjykata ose organi përkatës shtetëror, brenda kompetencave të parashikuara në ligj, detyrimisht ftojnë palët për zgjidhjen me ndërmjetësim, veçanërisht, por pa e kufizuar vetëm në to, të mosmarrëveshjeve:

a) në çështjet civile dhe familjare, kur ndërthuren interesat e të miturve;

b) në çështjet e pajtimit në rastet e zgjidhjes së martesës, të parashikuar nga neni 134 i Kodit të Familjes;

c) me karakter pasuror me objekt padie deri në 500 mijë lekë, si dhe për paditë për kërkimin e sendit, për paditë mohuese e për paditë për pushimin e cenimit të posedimit.

5. Në rastin e mosmarrëveshjeve në fushën penale, kur procedimi penal ka nisur, gjykata detyrimisht fton palët për zgjidhjen me ndërmjetësim të mosmarrëveshjeve të parashikuara në pikën 3 të këtij neni.

6. Mosmarrëveshjet për të cilat është e detyrueshme zgjidhja në rrugë gjyqësore nuk mund të zgjidhen me ndërmjetësim.

7. Për çështjet, që lidhen me procedura që nuk rregullohen nga ky ligj, në veprimtarinë e ndërmjetësimit, për aq sa është e mundur, zbatohen dispozitat ligjore që rregullojnë procedurat e tjera, duke marrë parasysh natyrën ligjore të çështjes.

8. Dispozitat e këtij ligji zbatohen, për aq sa është e mundur, edhe për procedurën e ndërmjetësimit për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në rastet kur vetëm njëra nga palët ka vendbanimin në Republikën e Shqipërisë.

PARIMET E PROCESIT TE NDËRMJETËSIMIT

1. Ndërmjetësimi bazohet në parimin e barazisë së palëve, konfidencialitetit të të dhënave, si dhe në respektimin e fleksibilitetit e të transparencës së procedurave dhe të vullnetit të palëve në proces.

2. Ndërmjetësi, në ushtrimin e funksionit të tij, siguron zgjidhjen e çështjes me efikasitet, drejtësi dhe paanshmëri, si dhe në mënyrë profesionale e pa paragjykime ndaj palëve apo çështjes, objekt ndërmjetësimi.

3. Ndërmjetësimi është vullnetar dhe palët në mosmarrëveshje janë të lira:

a) të zgjedhin ndërmjetësimin, si mundësi për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të përcaktuara në këtë ligj;

b) të përcaktojnë kushtet, procedurën, si dhe afatet për aq sa ato janë të lejueshme;

c) të heqin dorë, në çdo kohë, nga zgjidhja e mosmarrëveshjes me ndërmjetësim.

4. Ndërmjetësi nuk ka përgjegjësi nëse ndërmjet palëve për zgjidhjen e konfliktit me ndërmjetësim nuk arrihet marrëveshje, ose nëse marrëveshja është arritur, por nuk zbatohet nga palët.

5. Në rastin kur palët arrijnë një marrëveshje për zgjidhjen e konfliktit ndërmjet tyre, ndërmjetësi nuk ka përgjegjësi për moszbatimin e kësaj marrëveshjeje.

PROCEDURA PËR NDËRMJETËSIM

1. Procedura për ndërmjetësim fillon pas datës së paraqitjes së ftesës për ndërmjetësim nga të paktën njëra nga palët në konflikt palës tjetër, sipas këtij ligji, ose nga data e referimit të çështjes nga gjykata për zgjidhjen e saj me ndërmjetësim.

2. Nëse një palë në mosmarrëveshje i kërkon një pale tjetër ndjekjen e procedurave të ndërmjetësimit, sipas këtij ligji, dhe kjo e fundit nuk i përgjigjet kësaj kërkese brenda 30 ditëve nga data në të cilën është dërguar ftesa ose brenda afatit kohor të përcaktuar në ftesë, pala kërkuese mund ta vlerësojë këtë si mospranim të ftesës për ta zgjidhur mosmarrëveshjen me ndërmjetësim. Ftesa për ndërmjetësim, e paraqitur nga një palë në mosmarrëveshje, nuk pengon automatikisht këtë palë që të iniciojë fillimin e një procesi gjyqësor apo arbitrazhi në lidhje me këtë mosmarrëveshje, për shkak të kalimit të afateve të paraqitjes së padisë.

PROCEDURA PËR NDËRMJETËSIM NE PROCESIN CIVIL

1. Gjykata, në përputhje me nenet 4, 25, 158/a, 158/b dhe 297 të Kodit të Procedurës Civile, fton palët për zgjidhjen me ndërmjetësim të mosmarrëveshjes objekt gjykimi, parashikuar në nenin 2 pika 2 të këtij ligji dhe kur palët bien dakord pezullon gjykimin duke u caktuar palëve një afat në përputhj e me natyrën e mosmarrëveshjes.

2. Secila nga palët ka të drejtë të kërkojë në çdo kohë rifillimin e gjykimit.

PROCEDURA PËR NDËRMJETËSIM NE PROCESIN PENAL

1. Gjykata, në përputhje me nenet 333 dhe 338 të Kodit të Procedurës Penale, fton palët për zgjidhjen me ndërmjetësim të mosmarrëveshjes objekt gjykimi, parashikuar në nenin 2 pika 3 të këtij ligji, duke iu caktuar palëve një afat në përputhje me natyrën e mosmarrëveshjes.

2. Secila nga palët ka të drejtë të kërkojë në çdo kohë rifillimin e gjykimit.

LIRIA E PALËVE PËR RREGULLAT DHE MËNYRËN E NDËRMJETËSIMIT

  1. Përpara fillimit të procedurës së ndërmjetësimit, ndërmjetësi është i detyruar që të informojë palët për qëllimet dhe parimet e përgjithshme, rolin e ndërmjetësit dhe të palëve në proces, shpenzimet e procesit të ndërmjetësimit dhe efektet e marrëveshjes së ndërmjetësimit.
  2. Palët dhe ndërmjetësi nënshkruajnë bashkërisht, me shkrim, marrëveshjen për realizimin e procesit të ndërmjetësimit, ku duhet të përcaktohen:
  3. a) gjeneralitetet e palëve të kësaj marrëveshjeje dhe të përfaqësuesve të tyre;
  4. b) përshkrimi i objektit të mosmarrëveshjes;
  5. c) pranimi i parimeve të ndërmjetësimit, sipas këtij ligji dhe të ndërmjetësit të caktuar; ç) vendi i ndërmjetësimit;
  6. d) shpenzimet e ndërmjetësimit dhe shpërblimi i ndërmjetësit.
  7. Në mungesë të një marrëveshjeje për mënyrën e zhvillimit të ndërmjetësimit, ndërmjetësit mund ta zhvillojnë ndërmjetësimin në mënyrën më të përshtatshme për palët, mbështetur në rrethanat e çështjes, në çdo kërkesë që mund të paraqesin palët dhe në çdo nevojë për një zgjidhje të shpejtë të mosmarrëveshjes.
  8. Në çdo rast, në zbatimin e procedurave të ndërmjetësimit, ndërmjetësi duhet të kujdeset për të siguruar trajtimin e njëjtë të palëve, duke marrë parasysh të gjitha rrethanat e çështjes.

5. Kur nuk vendoset ndryshe nga palët, ndërmjetësi ka të drejtë që, në çdo fazë të zbatimit të procedurave të ndërmjetësimit, të propozojë një zgjidhje të pranueshme të mosmarrëveshjes.

KOMUNIKIMI ME PALËT

1. Përveçse kur vendoset ndryshe nga palët, ndërmjetësi mund të takojë ose të komunikojë me palët, së bashku ose veçmas me secilën prej tyre.

2. Ndërmjetësi, pasi njihet me rrethanat dhe të dhënat e ofruara nga njëra palë në mosmarrëveshje, mund t’i parashtrojë palës tjetër çështjet thelbësore që rezultojnë nga këto rrethana.

PËRFUNDIMI I PROCEDURËS SE NDËRMJETËSIMIT

Procedura e ndërmjetësimit përfundon:

a) ditën e nënshkrimit të marrëveshjes për zgjidhjen e mosmarrëveshjes;

b) ditën e nënshkrimit të deklaratës me shkrim të ndërmjetësit, pas këshillimit me palët që ndërmjetësohen, sepse përpjekjet për ndërmjetësim të mëtejshëm nuk janë të justifikuara;

c) ditën e nënshkrimit të deklaratës me shkrim të palëve ndërmjetëse, me anë të së cilës i drejtohen ndërmjetësit, ku i njoftojnë se procedura e ndërmjetësimit ka përfunduar;

ç) ditën e nënshkrimit të deklaratës me shkrim të njërës palë, drejtuar palës tjetër, ndërmjetësit, ku njoftohen se procedura e ndërmjetësimit ka përfunduar;

d) me vdekjen e ndonjërës nga palët në proces;

dh) me likuidimin e personit juridik, palë në proces.

AKTMARRËVESHJE

1. Kur palët bien dakord për zgjidhjen e pranueshme të mosmarrëveshjes ndërmjet tyre, së bashku me ndërmjetësit, nënshkruajnë marrëveshjen përkatëse, në kuptim dhe në zbatim të kushteve, rasteve dhe të procedurave të parashikuara në këtë ligj. Kjo marrëveshje është e detyrueshme dhe e ekzekutueshme në të njëjtën shkallë me vendimet e arbitrazhit.